A2020/1 “FRAGMENTE TË ARKITEKTURËS SHQIPTARE” me autorë Nesila Hajdini dhe Armand Vokshi doli nga shtypi në dhjetor të vitit 2020 dhe promovimi i tij u shoqërua me 2 evente tè rëndësishme në Tiranè me 6 Maj 2021 tek Reja, pranë Galerisë së Arteve dhe në Prishtinë, me datë 10 qershor 2021 tek Modelarium, pranë Fakultetit të Arkitekturës.
Për të parën herë tentohet të rradhiten bashkë krijimet e arkitektëve bashkëkohorë shqiptarë në një publikim të vetëm.
Por çfarë po ndodh me arkitekturën e prodhuar prej arkitektëve shqiptarë në ditët tona?
Fjalët e Petraq Kolevicës, të artikuluara në gazetën Zëri i Popullit, 19 Mars 1972, me titull “Ndërtim që e zbukurojmë, apo bukuri që e ndërtojmë” ai shkruan:
“Duhet të kuptohet se çdo arkitekturë është e lidhur pazgjidhshmërisht me epokën e saj dhe që ajo mund ta shprehë veten vetëm me format e kohës dhe vetëm me gjuhën e kohës.
Dhe asnjëherë s’ka qenë ndryshe.
Gjithmonë e gjithmonë bëhemi dëshmitarë të asaj që arkitektë të talentuar dështojnë, kur vepra e tyre nuk shkon në një hap me kohën” janë në kërkim të pritshmërive të tjera për atë periudhë që i shkroi, por rezultojnë mjaft aktuale për secilin projektues shqiptar në ditët tona.
Shqiptarët, edhe pse administrativisht të ndarë në disa shtete, në terma sasior e cilësor, për sa i përket produktit arkitektonik bashkëkohor, po kalojnë një periudhë mjaft dinamike, thuajse të njëjtë në shumë aspekte, me diferenca të papërfillshme nga njëri tjetri. Ky evolucion i arkitekturës, për vetë specifikat historike në të cilat shqiptarët kanë qenë të detyruar ti kalojnë, është tërësisht i ndryshëm nga shumë vende evropiane.
Gjithsesi, mund të themi që në momentin që flasim, vërehet një hapje ndaj koncepteve të kohës, si dhe një pjekje kolektive e gjeneratave të ndryshme të arkitektëve në trojet shqipfolëse. Për këtë, qëllimi i kësaj monografie ka qenë evidentimi, përzgjedhja dhe publikimi i disa prej arkitekturave dhe arkitektëve shqiptarë, të cilët kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në evolucionin aktual të arkitekturës bashkëkohore shqiptare. Edhe pse e vështirë në këtë periudhë të globalizmit, i cili rezulton më intensiv se kurrë në fushën e arkitekturës, që të mirëkuptohet e të përfaqësohet një term i tillë si arkitektura bashkëkohore shqiptare, duhet të ketë arsye të forta kompozicionale tejet origjinale përcaktuese. Në fakt për këtë publikim, tendenca për të seleksionuar veprat, ju është referuar vendit ku ato janë ndërtuar, pra në një territor shqiptar, si dhe origjinës shqiptare të projektuesve të cilët i kanë ideuar.
Gjithsesi, në këtë publikim janë seleksionuar dhe vendosur njëzet studio arkitekture nga Shqipëria, njëzet studio arkitekture nga Kosova dhe një tjetër studio arkitekture shqiptare nga Maqedonia. Arkitekturat e tyre janë ndërtuar ekskluzivisht në territore ku jetojnë shqiptare pa marrë parasysh kufijtë shtetërorë. Pra thënë kjo, edhe titulli A2020/1, është tentuar të jetë sa më origjinal, pasi lidhet me faktin e vitit të publikimit, i cili është viti i vështirë 2020, duke mbajtur edhe raportin e studiove të arkitekturës 20 x 20 x 1, siç u përmend me sipër.
Por është e ditur tashmë, që arkitektura shqiptare erdhi shumë vonë në vetëdijen e saj arkitektonike në përgjithësi. Domethënë, ne nuk është se kemi të bëjmë me “architectus ingenii viduatus”, pra në latinisht me arkitektë pa talent, por arsyeja kryesore janë vetë kushtet dhe proceset historike të kombit tonë. Ndoshta mund të jetë pak e tepërt, që të gjithë këtyre arkitektëve, tu kërkonim përse nuk kanë projektuar nën emrin dhe teoritë e Lëvizjes Moderne, ose asaj Post Moderne, me rrymat e ndryshme të kohës së tyre. Vonesa e një përqafimi real ndaj Lëvizjes Moderne nga ana e arkitektëve shqiptarë, fillimisht mund të ketë qenë formimi i tyre akademik, por më pas detyrimisht, ajo kishte ndodhur për shkak të influencave dhe barrierave ideologjike të periudhës së fashizmit fillimisht; apo më pas në atë të komunizmit, ku nën llojet e arkitekturës të gjeneruar prej tyre, bartin përgjegjësinë tjetër reale për vonesën e arritjeve me hapin e kohës. Në fakt, vonesa u gjenerua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga censura apo auto-censura e arkitektëve, e mire organizuar nga filtrat e sofistikuara të nomenklaturës të sistemeve totalitare të ushtruara mbi profesionistët. Ideologjia e kërkonte arkitekturën si instrument në duart e saj, si element thelbësor të ekzistencës së saj.
Edhe në ditët tona kjo vonesë vijoi, ku shkëputja nga e vërteta dhe bashkëkohorja, dukej si vete shkaku, dhe kjo vonesë u shfaq si një ves i lindur e i trashëguar. Përkundër metamorfozës së strukturës politike në trojet shqiptare pas viteve 1990, situata nuk duket se pat ndryshuar shumë. Qasja e vjetër pa ndonjë thellim apo pa u ballafaquar me kohën, vazhdoi të paraqitej si një e re në Shqipëri. Në Kosovë e Maqedoni vonesa erdhi përsëri për shkaqe politike e historike e zgjatur në kohë.
Ndaj, A2020/1 tenton të bëjë një skaner të produktit të tanishëm shqiptar, pra ne vitin 2020, duke sjelle arkitekturën më të mirë të prodhuar në pesëvjeçarin e fundit. Autorët pjesëmarrës në këtë monografi janë pjesëtarë të gjeneratave të ndryshme dhe këtu nuk mund të flasim për vetëm për një brez të ri arkitektësh të formuar pas rënies së sistemeve, apo për një brez me eksperiencë e të konsoliduar. Produkti i ndërtuar kohët e fundit ka qenë e vetmja arsye seleksionimi.
Ajo që për vlen të përmendet është rritja e kualitetit projektues dhe e cilësisë zbatuese të veprave të ekspozuara në këtë publikim. Mund të themi përfundimisht, se diçka ka ndryshuar në sensin pozitiv, ku ndoshta ky dhjetëvjeçar i fundit duket se ka shkrirë akullin dhe ka sjellë ndryshimin cilësor në produktin arkitektonik. Shqiptarët sërish po e gjejnë veten në flukset globale të informacionit të bollshëm mbi produktet e arkitekturës.
Një tjetër element më rëndësi, është edhe kthimi i një numri në rritje i studentëve të ndryshëm shqiptarë, të cilët studiuan në disa shkolla me tradita akademike (në Itali, USA, Gjermani, Zvicër, Francë ose Austri). Këta profesionistë tashmë drejtojnë ose janë bërë pjesë e studiove, apo janë në krye të pozicioneve të rëndësishme, duke kontribuar në drejtim të rritjes së nivelit konceptual të arkitekturës. Mbetet akoma për tu parë kontributi dhe influenca e tyre në vitet në vijim në marrëdhëniet me arkitektët të formuar në shkollat shqiptare. Disa prej tyre janë pjesë e këtij publikimi.
Një tjetër fakt i njohur është dhe kurioziteti apo influenca e madhe që ngjalli futja e studiove ndërkombëtare me projekte apo me konkurse ndërkombëtare, ku mund të përmenden studio si Oma, MVRDV, Archea, Liebeskind Architects, Grimshaw, Architecture Studio, 51N4E, Studio Boeri etj. Ky fenomen, pra injektimi me një frymë të re arkitekture në territoret shqiptare, sidomos në Tiranë, rezultoi në fillesat e saj edhe një lloj shtyse në këtë drejtim. Në fillim kjo gjë ngjalli kureshtje, me pas edhe një lloj shkundje deri në një farë momenti për arkitektët shqiptar. Tani mendohet se potencialet janë të barabarta, ndaj kërkohet barazi në trajtimin e profesionistëve vendas apo të huaj në projekte apo konkurse.
Ajo që mund të çmojmë në vitin 2020, sipas konsideratave të sipërpërmendura, arkitektura shqiptare e dekadës së fundit ka themeluar disi një gjuhë të vetme të pasur me përzierje, variacione dhe theksime. Humbja e pastërtisë leksikore arkitektonike, e cila tashmë rezulton të jetë edhe një qasje globale, pra jo tipike shqiptare, është futur më shumë në terma funksionale dhe në një strategji pa logo e pa stile të qartë. Kushtet specifike ku po ngjizet kjo arkitekturë, po kërkojnë gjithnjë e më shumë liri tu ripërtërirë e për tu definuar: atë të elementit kundër sistemeve politike dhe kundër sistemeve gjuhësore të deritanishme.
Kërkimi i vazhdueshëm për të operuar në terrene të reja, apo për të punuar profesionalisht, ka çuar një pjesë në rishikimin e temave të ndryshme arkitektonike, që më parë konsideroheshin të vogla: nga ndërhyrjet publike me një kosto të reduktuar, në të ashtuquajturën arkitekturë parazitare. Por fokusin qendror e mbajnë objektet shumëkatëshe të banimit dhe vilat. Me pak fjalë, sezoni i ndërtesave publike dhe kullave të larta private me sipërfaqe prej dhjetë mijë eurosh për metër katror, duket sikur po mbaron, ku mund të themi se ato ishin eksluzivitet i vetëm i “Star System”.
Pa dashur për tu futur në kanale kontrastesh mbi marrëdhëniet e politikës me arkitekturën, apo të arkitektëve me politikën, të prishjes së sistemit të vlerësimit të idesë më të mirë apo të mungesës së konkurseve mbi arkitekturën, debati që tentohet të hapet, apo sinjalet qe kërkon të lëshojë ky publikim, lidhen ngushtësisht me avancimin dhe përmirësimin e produktin arkitektonik. Pra mendojmë se nxjerrja në dukje e vlerave të fshehura ose te ditura në këto projekte, do të nxisë debatin dhe do të forcojë edhe mes shumë lidhjen e profesionisteve shqiptarë nga të gjitha trevat.