Pallati i Brigadave, (Vila Mbretërore ose Vila e Mëkëmbësit) është një kompleks në formën e një Ansambli Historik dhe Arkitektonik me një moshë afro tetëdhjetë vjeçare, i përbërë nga një sistem të ndërthurur vlerash arkitektonike, por jo vetëm. Ajo që e veçon këtë ndërtesë, si dhe të gjithë ndërtimet dhe elementet e tjerë të lidhur me të, është vlera arkitektonike e Vilës Mbretërore, vlerat e peizazhit të parkut, si dhe vlera e veprave të artit dhe artefakteve autentike, të shpërndara në pjesë të ndryshme të mjediseve brenda dhe jashtë vilës. Vlerat e tyre janë mjaft të veçanta edhe nga pikëpamja historike, qoftë në momentin e ndërtimit dhe prodhimit të tyre në fundin e viteve tridhjetë, ashtu edhe në ditët e sotme, kur ky sistem ka marrë një konotacion të fortë funksional, përsa i përket anës së lartë ceremoniale shtetërore dhe publike.
Vizioni dhe objektivat e PMI Ansambli Historik i Pallatit të Brigadave do të rijetëzohet duke i dhënë funksione të cilat nuk do të cenojnë vlerat historike, arkitektonike e ambientale të monumentit, por do ta kthejnë atë në një pikë atraktive turistike në Rajonin e Tiranës.
Nëpërmjet menaxhimit të qëndrueshëm, ai do të arrijë të gjenerojë të ardhura për të siguruar vazhdueshmërinë e ruajtjes, të konservimit dhe të restaurimit të vlerave të tij.
Ai do të kthehet në një destinacion elitar, i denjë për objektivin për të cilin është ndërtuar, por edhe që mirëpret miq të shtetit shqiptar dhe dinjitarë të huaj, që iu ofron vizitorëve një përvojë të rrallë dhe unike, që gjeneron interes publik dhe që siguron të ardhura për vazhdimësinë e tij.
Kjo do të arrihet duke realizuar këto objektiva:
1. Të restaurohet AHPB-ja dhe të përgatitet plani për konservim të monumentit.
2. Të rijetëzohet AHPB-ja duke ruajtur barazinë/drejtpeshën midis ruajtjes së vlerave të monumentit dhe zhvillimit turistik të pallatit.
3. Të përcaktohet qartë mënyra e manaxhimit të AHPB-së për të garantuar ruajtjen dhe zhvillimin e Ansamblit.